THIRRJE PËR APLIKIM PËR DIZENJIMIN E EMBLEMËS DHE LOGOS SË “BASHKISË DIMAL”
Bashkia dikur e njohur si Ura Vajgurore, sot quhet Dimal, sipas qytetit të lashtë ilir me të njëjtin emër, i zbuluar në vitet ’60. Dimali mendohet se ka qenë një nga qytetet me të fortifikuara të Ilirisë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në luftërat iliro-romake, kurse si simbol i qytetit njihet djaloshi i Dimalit, kampion i lojrave të organizuara.
Pas miratimit të ndryshimit të emrit nga “Bashkia Ura Vajgurore” në “Bashkia Dimal”, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, Bashkia e Dimalit organizon konkursin për dizenjimin e Emblemës dhe Logos së re të qytetit, si dhe përgatitjen e një “brand book” për promovimin e vlerave arkeologjike dhe kulturore të zonës. Logoja që do të përzgjidhet nga një juri profesioniste, në përbërjen e së cilës janë artistë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, do të përdoret për promovimin e qytetit, si dhe në të gjitha shkresat zyrtare të Bashkisë së Dimalit.
Secili nga kandidatët mund të paraqesë vetëm një propozim.
Emblema dhe Logoja duhet të përmbushë kërkesat e mëposhtme:
• Duhet të jetë krijim original dhe unik;
• Duhet të përcjellë historinë e lashtë dhe veçoritë e qytezës;
• Duhet të konceptohet posaçërisht për këtë konkur nga ana estetike;
• Duhet të jetë e lehtë për t’u dalluar, e përshtatshme në dimensione, sipërfaqe dhe përdorime të ndryshme, në dy variante: me ngjyra dhe bardhë e zi;
• Nuk duhet të shkelë të drejtat e palëve të treta, përfshirë edhe të drejtën e autorit;
• Nuk duhet të përmbajë figura, fotografi ose elementë të tjerë identifikues pa autorizimin e përkatës.
Formati i kërkuar për propozimet dhe mënyrat e paraqitjes:
• Çdo propozim duhet të përfshijë “brand book”-un, emblemën dhe logon me rezolucion të lartë, shpjegimin e projektimit mbi idenë e autorit, si dhe një informacion të shkurtër mbi projektuesin.
• Pjesëmarrësit mund ta paraqesin propozimin e tyre në formën e një (1) PDF, ku të përfshihet përshkrimi dhe filozofia pas Emblemës dhe Logos, dhe një (1) JPG, vetëm Emblema dhe Logoja.
• Në versionin PDF duhet të përfshihen edhe detajet e plota të kontaktit.
Dosjet duhet të emërtohen me emrin dhe mbiemrin e aplikuesit.
Aplikantët duhet të paraqesin propozimet e logos në adresën visitdimal@gmail.com.
Në fund të konkursit, fituesi duhet t’i dorëzojë emblemën dhe logon e krijuar prej tij në formatin e skedarit vektorial në Program Adobe Illustrator (AI ose EPS).
Ftohen të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozimet e tyre nga data 25.05.2021 deri në 25.06.2021, në adresën elektronike: visitdimal@gmail.com.
Çmimi për fituesin është 100.000 Lekë (të reja), ku përfshihen edhe taksat e aplikueshme.