Ligji nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” ka për qëllim rrespektimin e legjislacionit në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit si dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme bazuar në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
Kontrolli i territorit dhe zbatimi i ligjshmërisë dhe standarteve teknike në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit kryhet nga:
Inspektoriati i mbrojtjes së territorit i njësisë vendore, Bashkia Ura Vajgurore.
Struktura ose organizimi IVMT-së :
- Kryeinspektori
- Inspektorët.
IVMT-ja mbështetet nga policia e njësisë vendore ( policia bashkiake, policia e rendit )
DETYRAT E INSPEKTORIATIT:
- Vendos për përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
- Vendos gjoba, sipas llojit të shkeljeve të dispozitave ligjore.
- Paraqet pranë organeve përkatëse kërkesën për heqje të licencës profesionale, personale ose të shoqërisë, në rast të ndërtimit të kundërligjshëm.
- Vendos pezullimin e punimeve / ndërtimeve.
- Vendos prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm.
- Përgatit kallzim penal për veprat penale të konstatuara gjatë ushtrimit të kontrollit.
- I jep informacion dhe/ose dokumentacionin e kërkuar Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit.
- Merr vendim zhdëmtimi në ngarkim të subjektit kundërvajtës për shpenzimet e prishjes së ndërtimit dhe të kthimit të truallit në gjendjen e mëparshme.
- Përgatit dhe i jep të dhëna statistikore Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit çdo tre muaj.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është institucion, i specializuar në kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit:
- Ushtron përgjegjësitë e veta në nivel njësie vendore drejtpërdrejt dhe pa asnjë kufizim për ndërtimet / punimet.
- Kontrollon zbatimin e dispozitave të ligjit në fuqi nga Inspektoriati I Mbrojtjes së Terrirorit të njësisë në nivel të qeverisjes vendore
Ushtrimi i kontrollit nga IVMT –ja
Inspektoriati Vendor për Mbrojtjen e Territorit kryen inspektime me një grup inspektimi, i cili ka në përbërje jo më pak se dy inspektorë. Kryeinspektorët/ inspektorët kanë të drejtë të hyjnë dhe të ushtrojnë kontroll në mjediset ku kryhet ndërtimi. Ata identifikohen me dokument zyrtar. Subjekti që kontrollohet është i detyruar të lejojë kryerjen e kontrollit dhe të vendosë në dispozicion të grupit të kontrollit të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
Gjendja e konstatuar gjatë kontrollit pasqyrohet në procesverbalin përkatës të konstatimit dhe nënshkruhet nga grupi i kontrollit dhe nga subjekti i kontrolluar ose përfaqësuesi i tij.
IVMT brenda 10 ditëve nga mbajtja e procesverbalit të konstatimit, nxjerr vendim për marrjen e masave përkatëse dhe dhënien e sanksioneve administrative, të cilat nënshkruhen nga kryeinspektori.
IVMT, për ushtrimin e përgjegjësive dhe detyrave të parashikuara në ligj, ka të drejtë:
- Të kërkojë zbatimin e objektit në terren, sipas lejes së ndërtimit të dhënë nga autoriteti përkatës i planifikimit, si dhe të kontrollojnë dosjen me dokumentacionin teknik e ligjor të objektit,
- Të kryej një apo më shumë kontrolle në të njëjtin objekt,
- IVMT përfshin në kontroll:
- Prishjen e një ndërtimi ekzistues,
- Ndërtimin apo punimet për ndërtimin e një objekti të ri,
- Rikonstruksionin e objektit,
- Riparimin e objektit,
- Infrastrukturën tokësore e nëntokësore
- Punimet/ndërtimet që paraqesin rrezik shembjeje, me pasoja për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
LEGJISLACIONI I ZBATUESHËM NË FUSHËN E NDËRTIMEVE
Ligji nr. 9780, datë 16.07.2007 “ Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, i ndryshuar.
VKM Nr. 408, datë 13.05.2015 “ Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit “, të ndryshuar.
VKM Nr. 231, datë 21.03.2017 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.
VKM Nr. 894, datë 4.11.2015 “ Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektoriati Kombëtar i Territorit dhe ai i Njësisë Vendore “.
Ligji nr. 8402, datë 10.9.1998 “ Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar.
Ligji nr.107/2014 “ Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit “, i ndryshuar me ligjin nr.73/2015.
VKB Nr. 63 datë 03.08.2016 “ Për shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative dhe sanksionet përkatëse “.
Ligji nr. 107/2014 “ Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit “ i ndryshuar.
VKM Nr. 1096 datë 28.12.2015 “ Për miratimin e rregullave, kushteve e procedurave për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirave publike”.
Udhëzim Nr. 1, datë 16.6.2011 “ Për disa ndryshime në Udhëaimin nr. 3, datë 15.2.2001 të Këshillit të Ministrave “ Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.