1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë këto të drejta dhe përgjegjësi:
1.1. Të drejtën dhe përgjegjësinë e vetë-qeverisjes, sipas së cilës:
a) përcaktojnë masa që ato i gjykojnë të nevojshme për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave;
b) bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe aktet nënligjore, të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tyre, për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave, nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra;
c) krijojnë struktura administrative për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tyre, sipas ligjeve në fuqi;
ç) krijojnë njësi ekonomike dhe institucione në varësi të tyre.
d) krijojnë komitete, borde ose komisione për kryerjen e funksioneve të veçanta sa herë që paraqitet nevoja, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore.
1.2. Të drejtën dhe përgjegjësinë e pronësisë:
a) njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë të drejtën e pronësisë. Ato fitojnë, shesin dhe japin në përdorim pronën e paluajtshme ose të luajtshme të tyre, si dhe ushtrojnë të drejta të tjera, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj;
b) e drejta e fitimit të pronës, nëpërmjet shpronësimeve për interes publik, nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar me ligj; c) e drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër.
1.3. Të drejtën dhe përgjegjësinë e mbledhjes së të ardhurave dhe bërjes së shpenzimeve, sipas së cilës:
a) krijojnë, mbledhin të ardhura dhe bëjnë shpenzime për përmbushjen e funksioneve të tyre;
b)vendosin taksa vendore e tarifa për shërbimet, si dhe nivelin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre;
ç) mbajnë llogaritë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe ofrojnë informacione ose raporte financiare për hartimin dhe zbatimin e buxhetit për qeverisjen qendrore ose shtetasit.
1.4. Të drejtën dhe përgjegjësinë e kryerjes së veprimtarive ekonomike, sipas së cilës:
a) për përmbushjen e funksioneve publike në interes të komunitetit që përfaqësojnë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ushtrojnë veprimtari ekonomike që nuk bie ndesh me orientimet themelore të politikave ekonomike të shtetit;
b) të ardhurat, që përfitohen nga veprimtaria ekonomike, përdoren në pjesën më të madhe për mbështetjen dhe përmbushjen e funksioneve publike;
c) veprimtaria ekonomike e njësive të vetëqeverisjes vendore rregullohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
1.5. Të drejtën e bashkëpunimit, sipas së cilës:
a) për kryerjen e shërbimeve specifike në emër dhe në dobi të komuniteteve përkatëse, dy ose më shumë njësi të vetëqeverisjes vendore mund të ushtrojnë së bashku çdo funksion që u është dhënë atyre me ligj, nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ose kontratave të përbashkëta, delegimit të kompetencave dhe përgjegjësive të veçanta njëra-tjetrës ose kontraktimit me një palë të tretë;
b)bashkëpunojnë me njësi të vetëqeverisjes vendore të vendeve të tjera dhe përfaqësohen në organizata ndërkombëtare të pushteteve vendore, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi;
c) kanë të drejtë të organizohen në shoqata, në përputhje me legjislacionin përkatës.
1.6. Të drejtën e personit juridik:
Si persona juridikë, njësitë e vetëqeverisjes vendore gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë të veçantë:
a) të drejtën e lidhjes së kontratës;
b) të drejtën e krijimit të personave të tjerë juridikë;
c) të drejtën e ngritjes së padisë civile;
ç) të drejtën e mbajtjes së llogarive;
d) të drejta të tjera për ushtrimin e funksioneve në bazë dhe në zbatim të ligjeve dhe akteve nënligjore.
1.7. Të drejta të tjera, sipas të cilave:
a) japin tituj nderi dhe stimuj;
b)vendosin emërtimet e territoreve, objekteve dhe institucioneve nën juridiksionin e tyre, sipas kritereve të përcaktuara me ligj;
c) njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë vulën dhe simbolet e tyre.
2. Të drejtat dhe përgjegjësitë e sipër-përmendura ushtrohen nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj apo ligje të tjera në fuqi.